Thiago Silva: “Nuk është Henry i vetmi fajtor te Monaco”

12 Nëntor, 2018 77 Pa Komente

Kapiteni i PSG, Thiago Silva, tha se Thierry Henry është fajtor për gjendjen e vështirë të Monaco, pasi kampionët e Ligue 1 fituan 4-0 ndaj saj. Edinson Cavani shënoi dy herë në pjesën e parë, pastaj kompletoi “hat-trick” në gjysmën e dytë të ndeshjes, para se Neymar të realizonte golin e katërt. PSG e vijoi rekordin e grumbullimit të 100 për qind të pikëve këtë sezon.

Monaco është pa fitore që nga java e parë e kampionatit, ndërsa Tierry Henry ka marrë vetëm një pikë në katër lojërat e tij në Ligue 1, që kur zëvendësoi Leonardo Jardim, në tetor. Silva ofroi një pikëpamje për gjendjen e vështirë të Henry dhe mbështeti ish-sulmuesin e njohur të Francës.

“Situata e Monacos është e komplikuar, – u tha Silva gazetarëve. – Njerëzit flasin shumë për trajnerin, por mendoj se Henry është më pak fajtor për të gjithë këtë situatë. Dy vite pasi fituan kampionatin, lojtarët e Monaco kanë ikur dhe nuk mund t’i zëvendësoni lehtë. Kjo i bën gjërat më të vështira. Henry do të ketë shumë punë për të bërë, që ekipi të kthehet në rrugën e fitoreve. Nëse nuk gaboj, ai nuk ka fituar ende, por ka një histori të tijën në futboll, një histori me fitore. Jam i sigurtë se do të bëjë gjëra të mira me këtë grup dhe do të dalë nga kjo situatë. Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë. Nëse nuk gaboj, ka 12 lëndime, ose më shumë”.

Vetë Tierry Henry ishte kritik ndaj dështimit të skuadrës së tij, por u zotua të vazhdojë të punojë shumë për ta ndryshuar këtë situatë: “Ne e dinim se do të ishte e vështirë kundër PSG, – tha 41-vjeçari. – Ne nuk po kërkojmë justifikime. Kemi luajtur kundër një ekipi me tjetër nivel. Kur parizienët kanë topin, nuk është e lehtë. Ne mund t’iu kishim hapur telashe në fillim të ndeshjes. Patëm një shans të madh për të barazuar 1-1, por shpërdoruam”.