Te Partizani ka rikthime dhe pezullime

25 Tetor, 2018 88 Pa Komente

Një lajm i mirë dhe një i keq për tifozët e Partizani. Siç e do zakoni, e nisim me të keqin, që lidhet me Lorenc Trashi, një nga pikat me të forta të të kuqve në ndeshjet e fundit. Futbollisti 26-vjeçar nuk është stërvitur me skuadrën në seancën stërvitore të radhës, pasi është pezulluar nga drejtuesit për sjelljen e tij në përfundim të ndeshjes me Luftëtarin, e fituar 2-1 nga Partizani (Trashi sapo përfundoi takimi u largua pa kryer ritualin e përshëndetjes së tifozëve nga e gjithë skuadra). Mësohet se lojtari do të stërvitet me Partizanin B deri në një vendim të dytë, çka do të thotë se prania e tij në fushë në sfidën që vlen shumë për titullin kampion, ndaj Skënderbeu të hënën, është në dyshim serioz. Kujtojmë se Lorenc Trashi vetëm pak ditë më parë rinovoi kontratën me Partizani deri në vitin 2020.

Lajmi i mirë për tifozët e Partizani është rikthimi i kapitenit Alban Hoxha, i dëmtuar gjatë grumbullimit me Kombëtaren para ndeshjes me Izraelin. Edhe pse nuk është stërvitur 100% me grupin, pasi stafi dëshiron të mos rrezikojë, ai pritet të luajë titullar me Skënderbeu. Stërvitje të diferencuar ka kryer mesfushori Bruno Telushi, që gjithsesi nuk do të ketë probleme për t’u aktivizuar titullar ndaj korçarëve.