Sulmon Griezmann: “Meritoj të fitoj Topin e Artë”

31 Tetor, 2018 8 Pa Komente

Duhet edhe pak kohë për dorëzimin e trofeut më prestigjioz individual në botën e futbollit. Në garën për Topin e Artë duhen pritur edhe disa javë, por ndërkohë dikush si Antoine Griezmann, vazhdon betejën personale ndaj atyre që nuk vendosin në të njëjtin plan me Ronaldo, Messi apo Neymar, edhe lojtarët francezë që fituan Kupën e Botës në Rusi. Në një intervistë sulmuesi i Atletico Madrid, shprehu gjithë zhgënjimin e tij për Çmimin e The Best që shkoi për Luka Modric duke ëndërruar tjetër rezultat për Topin e Artë.

“Për sa i përket çmimit The Best, nuk bëhet fjalë vetëm për mua. Ka lojtarë francezë që nuk ishin as në listë. Nuk arrij ta kuptoj dhe as nuk përpiqem. Mbetem i idesë që ishte vërtet befasuese se si kampionë të botës as nuk merren fare në konsideratë. Në nivelin personal, mendoj se Topi i Artë është çmimi më prestigjioz që mund të arrihet. Në të njëjtën kohë unë jam një lojtar që mendon më shumë për skuadrën, për kolektivin, por mendoj se e meritoj, edhe për gjithë vështirësitë me të cilat më është dashur të përballem në jetë. Nuk kam frikë ta them, ëndërroj ta fitoj”.

Antoine Griezmann është një emër i nxehtë dhe në merkato dhe për sa i përket rinovimit të tij me Atletico, që ka shkaktuar shumë zhurmë mediatike, tregon edhe një prapaskenë interesante.

“Doja të tregoja se nuk ishte një vendim i lehtë, pasi në lojë ishte e ardhmja ime, por edhe ajo e bashkëshortes dhe familjes time. Para një ndeshjeje më dërgoi një mesazh Godin ku më shkruante se donte të më fliste. Pastaj erdhi te unë dhe bashkë me të ishte dhe Simeone. Më befasuan. Më bënë të kuptoj se cilat ishin përgjegjësitë e mia ndaj klubit”.