Spalletti: “Nuk kishim mundësi financiare për të mbajtur Rafinha në skuadër”

24 Tetor, 2018 255 Pa Komente

Inter është në Katalunjë për t’u përballur me Barcelonën në sfidën e vlefshme për fazën e grupeve të Champions Leagues. Zikaltrit do të gjejnë përballë edhe Rafinhën, një futbollist që shkëlqeu në fazën e dytë të sezonit të kaluar me fanellën e Interit, por që më pas u detyrua të rikthehet në Katalunjë.

Vetë trajneri i Interit, Luciano Spalletti shpjegoi arsyet pse zikaltrit nuk ia dolën të blinin përfundimisht kartonin e fantazistit brazilian, pavarësisht dëshirës së tij dhe tifozërisë.

“Rafinha është një lojtar që mbulon mjaft mirë mesin e fushës dhe mund të bëjë disa role. Do të doja shumë që ta shihja në fushë sot, ndonëse e di që do të na hapte punë. Duhet ta falënderojmë, pasi jemi në Champions edhe falë kontributit të tij. Do të donim shumë ta mbanim në skuadër, por kishte disa afate dhe ne nuk mund të bënim blerje në atë periudhë, për hir të bilancit. Blerjet tona vareshin shumë edhe nga shitjet dhe Barcelona nuk preferonte asnjë nga lojtarët tanë, për të bërë një marrëveshje shkëmbimi”, deklaroi Spalletti.