Sot ora 13.45 luhet për kreun e Superiores. Kukësi vs Partizani

8 Tetor, 2018 85 Pa Komente

Brenda pak ditësh një tjetër klasike e rivalitetit për titull, një tjetër sfidë pretendentësh, luhet Kukësi – Partizani. Një përballje intriguese mes dy prej skuadrave me më shumë potencial në Kategorinë Superiore. Partizani vjen pas tri fitoreve radhazi, ka mundur Flamurtarin, Tiranën dhe i ka dhënë një leksion futbolli Teutës. Paraqitje bindëse, lojë e rrjedhshme, ku grupi ekzalton individët dhe në këtë rast spikat pa dyshim Jasir Asani, autor i tre golave në dy ndeshjet e fundit. Modesti dhe profesionalizëm nga trajneri Skënder Gega. Janë të gjithë komponentët që kanë ekzaltuar tifozët, duke mbushur zemrat e kuqe sa i përket titullit, edhe pse për teknikut e të kuqve është një fjalë që nuk duhet të përmendet që në fazën e parë. Kukësi, në këtë aspekt do të jetë një tjetër provë e rëndësishme.

Skuadra e Armando Cungut vjen e plagosur nga ajo disfatë në Korçë. Do të ketë shumë dëshirë për të reaguar përballë një tjetër rivali për titullin, për të treguar se Kukësi është aty, në garë për trofeun madhor. Humbja me Skënderbeun ndërpreu një seri prej katër fitoresh radhazi dhe për Kukësin përballja me Partizanin është udhëkryqi ideal për t’u kthyer në rrugën e suksesit.

Sfidon skuadrën me të cilën u bë i njohur në Superiore Ardian Cuculi, që këtë herë do të jetë kundër Partizanit, si një ndër pikat më të forta në mbrojtje për skuadrën verilindore bashkë me kapitenin Ylli Shameti. Interesante për të parë kryegolashënuesin e kampionatit, Reginaldon, përballë mbrojtjes më të mirë të Superiores. Partizani nuk e di se çfarë është goli i pësuar gjatë lojës. Të vetmin e ka pësuar me 11-metërsh në Korçë, në humbjen e parë dhe të vetme të sezonit.

Në kampin e kuq nuk është në gjendjen më të mirë Trashi, i cili vuan nga një gjendje gripale dhe i duhet të sakrifikojë për të qenë më fushë. Si do të reagojë Partizani nëse Trashi nuk do të jetë 100%? Sigurisht që këtë do ta tregojë fusha.