Shkëndija shpreson në ndeshjen e kthimit. Gjyqtari u mohon një 11 metërsh

24 Gusht, 2018 209 Pa Komente

Shkëndija e Tetovës nuk ia doli të marrë rezultat pozitiv në “Lerkendal Stadium” përballë Rosenborg, por një gol i brazilianit Stenio Junior mban gjallë shpresat e kuqezinjve, që të tentojnë kualifikimin për në grupet e Europa League, në ndeshjen e kthimit, në Shkup.

Pavarësisht emrit të madh të skuadrës norvegjeze, kuqezinjtë e nisën ndeshjen mjaft mirë dhe treguan autoritet, teksa në minutat e para dominuan në qarkullim ndaj kundërshtarit, por mungesa e eksperiencës në të tilla nivele, peshoi edhe njëherë te skuadra e Qatip Osmanit.

Një dalje e gabuar e portierit Zahov në minutën e 11’, u shfrytëzua maksimalisht nga Jebali, që përdori një parabolë të mrekullueshme, për të dërguar topin në trekëndëshin e portës së Shkëndijës.

Kaq mjaftoi që kuqezinjtë të humbnin toruan dhe vetëm 4 minuta më vonë Rosenborg dyfishoi shifrat, me anë të sulmuesit danez Niclas Bendtner, që shfrytëzoi një top pa pretendime, për ta dërguar në rrjetën e Zahov, duke iu vjedhur mbulimit të mbrojtjes.

Vendasit shënuan edhe golin e tretë në minutën e 44-t, ku edhe këtu Levi përfitoi sërish nga një hutim i mbrojtjes tetovare, duke bërë që skuadrat të shkonin në pushim me rezultatin 3-0.

Në pjesën e dytë Shkëndija ndryshoi tërësisht fytyrë dhe krijoi volum të madh loje e raste shënimi, por golin e parë e gjeti vetëm në minutën e 76’, me anë të brazilianit Stenio Junior.

Kuqezinjtë rritën presionin dhe i shkuan pranë golit të dytë, që do të rihapte tërësisht llogaritë e kualifikimit, por ishin të pafat, ndërsa në minutën e 88’, arbitri izraelit Grenfeld u mohoi një 11-metërsh tërësisht të qartë.

Rezultati 3-1 nuk lë shumë vend për të ëndërruar, por ai gol në fushën kundërshtare i jep shpresa Shkëndijës, që të tentojë mrekullinë në stadiumin “Filipi II”, të Shkupit dhe të kualifikohet për herë të parë në histori, në grupet e Europa Leagues.

Luaj online ne Lottosport  www.lottosport.com.al

#LottosportMobile #LuajMeNe #LuajOnline #NePaguajmeNeCast