Shkarkohet Lopetegui. Skuadra i besohet Santiago Solari

30 Tetor, 2018 94 Pa Komente

Julen Lopetegui nuk është më trajner i Realit të Madridit, ndërsa lajmi për shkarkimin e tij është dhënë nag vetë klubi kryeqytetas nëpërmjet një komunikate zyrtare, që njofton ndërprerjen e bashkëpunimit mes palëve.

Gjithsesi, lajmi më i bujshëm i mbrëmjes së sotme është se trajneri i ardhshëm i “Los blancos” nuk do të jetë i shumëpërfoluri Antonio Conte, por ish futbollisti madrilen, argjentinasi Santiago Solari.

Italiani kishte ndërprerë kontratën që kishte me klubin londinez të Chelseat dhe priste përfundimin e El Classicos, për të marrë drejtimin e Realit të Madridit, pasi ishte njoftuar më herët se sfida me Barcelonën ishte testi i fundit për Lopeteguin.

Gjithsesi, për arsye që ende nuk janë të qarta, presidenti Perez vendosi t’i besojë një rol tranzitor Solarit, që deri tani kishte mbajtur postin e trajnerit te Real Madrid Castilla, që militon në ligën e tretë spanjolle.

Paraprakisht thuhet se Conte dhe Perez nuk arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët sa i përket pagës së italianit, por nuk janë të pakta edhe zërat që flasin për një veto kundër ish teknikut të Chelseat, nga ana e kapitenit Sergio Ramos.

Ndërkohë, mediat pranë klubit madrilen flasin për një emërim të përkohshëm të Solarit në këtë post, në pritje të ndërprerjes së kampionatit në mes të Nëntorit, ku do të tentohet afrimi i trajnerit aktual të Belgjikës, Roberto Martinez.

Sa i përket Lopeteguit, ai nënshkroi me Realin vetëm pak ditë para fillimit të kampionatit botëror, gjë që irritoi drejtuesit e Federatës Spanjolle, të cilët e shkarkuan pak orë para debutimit të Spanjës në “Rusi 2018”.

Aventura e Lopeteguit nisi mirë, me disa fitore radhazi, por javët e fundit skuadra kishte humbur shkëlqimin dhe po përballej me një sërë humbjesh, që kulmuan me atë 5-1 ndaj Barcelonës, në El Classicon e të dielës.