Sfida e dytë e Copa Libertadores mund të luhet në Madrid

30 Nëntor, 2018 13 Pa Komente

Pasi dështoi të luhet në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit, finalja e Kupës së Libertadores është në pritje për të mësuar vendin dhe datën e saktë të zhvillimit.

CONMEBOL ka vendosur në dakordësi me klubet që sfida të mos luhet në Argjentinë, ndërsa gjatë ditës së djeshme kanë qarkulluar disa opsione që mund të mirëpresin këtë sfidë, mes të cilëve edhe SHBA-të, Katari dhe Paraguaji.

Megjithatë pasditen e sotme, e përditshmja spanjolle “AS” raportoi se ka një marrëveshje në masën 90%, që Superclasicoja River Plate-Boca Juniors, të luhet në stadiumin e Realit të Madridit, “Santiago Bernabeu”.

Suipas të përditshmes spanjolle, ka një marrëveshje mes FIFA-s, CONMEBOL-it dhe Federatës Spanjolle, që gjithashtu ka marrë edhe miratimin e klubit madrilen, ndërsa vendimi final pritet të merret në orët në vijim.

Sfida River Plate-Boca Juniors ishte planifikuar të luhet të shtunën në mbrëmje, në stadiumin “Monumental”, por rreth dy orë para startit, autobusi me lojtarët e Boca-s u sulmua nga tifozët e Riverit, ndërsa mbetën disa futbollistë të plagosur.