Romagnoli i jep fitoren Milan, por shqetëson Higuain

5 Nëntor, 2018 59 Pa Komente

Fitore në frymën e fundit për Milan sërish nën shenjën e kapitenit Alessio Romagnoli. Në një transfertë shumë të vështirë si ajo e Udinese, Milan mori një fitore të vuajtur me rezultatin 1-0 në një ndeshje që zgjati 100 minuta. Goli që vendosi fatet e sfidës u realizua në minutën e 96-të nga Romagnoli që në një kundërsulm të shpejtë të Milan kishte dalë përpara ashtu si ndaj Genoa disa ditë më parë me mbrojtësin që rezultoi sërish vendimtar, sepse shfrytëzoi asistin e Suso dhe me një goditje shumë të bukur i dha 3 pikëshin Milan.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për skuadrën e Gattuso që rimori vendin e 4-t me 21 pikë po aq sa edhe Lazio. Fundi ishte vërtetë i zjarrtë në Dacia Arena, me Udinese që e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak ndërsa për të bërë të vlefshëm golin e Milan u desh edhe konfirmimi nga sistemi VAR. Lajmi i keq për Milan ishte largimi i Higuain nga loja në pjesën e parë për shkak dëmtimi, me sulmuesin argjentinas që rrezikon të humbasë supersfidën e javës së ardhshme ndaj ish skuadrës së tij, Juventus.