Real tani mendon për sulmuesin anësor të Milan

2 Nëntor, 2018 54 Pa Komente

Sulmuesi anësor spanjoll, Suso është lideri i Milan dhe kjo u pa edhe në sfidën kundër Genoa kur shënoi një supergol, që në minutën e 4-t të takimit, pas një gjuajtjeje fantastike me të majtën, nga një distancë e konsiderueshme me portën.

Vlerat e tij në fushë ne lojës nuk kanë kaluar pa u vënë re nga shumë klube europiane, të cilat kanë vendosur emrin e Susos në listën e tyre të merkatos dhe do të kërkojnë ta transferojnë duke filluar që nga muaji janar i këtij viti.

Chelsea dhe Atletico Madrid nuk e kanë fshehur interesin e tyre për futbollistin, ndërsa së fundi mediat spanjolle raportojnë se Suso ka përfunduar edhe në radarët e Florentino Perezit, që kërkon ta sjellë menjëherë te Real.

Presidenti madrilen kërkon të shfrytëzojë klauzolën prej 40 milionë eurosh, që duhet paguar për prishjen e kontratës së Suso me kuqezinjtë dhe të transferojë sulmuesin anësor në Spanjë brenda verës së ardhshme.

Kjo ka vënë në alarm edhe drejtuesit e Milan, që kanë mbajtur disa takime me menaxherin e lojtarit, të cilit i kanë ofruar rinovimin me pagë më të lartë dhe me një klauzolë prej të paktën 60 milionë eurosh.