Rafinha mund të rikthehet në Serie A por jo te Inter

16 Nëntor, 2018 188 Pa Komente

Sezonin e kaluar luajti për 6 muaj me Interin, duke bindur të gjithë, por në fund zikaltrit nuk e panë të arsyeshme ta blejnë kartonin e fantazistit brazilian Rafinha nga Barcelona, me pretendimin se nuk ishin kushtet e duhura ekonomike.

Sezoni i ri e sheh braziliani sërish me fanellën kuqeblu të katalanëve, por nën drejtimin e Valverdes, Rafinha nuk ka gjetur hapësirat e nevojshme, për të treguar aftësitë e tij në fushën e lojës, ndonëse kur ka luajtur, ka arritur të lërë edhe gjurmë.

Në këtë mes Nëntori, Rafinha ndodhet i grumbulluar me kombëtaren braziliane, ku u rikthye pas 3 vitesh, për të zëvendësuar mesfushorin e Real, Casemiro, ndërsa janë pikërisht mediat braziliane ato që hedhin dritë mbi të ardhmen e fantazistit.

Sipas “Diario Gol”, mesfushori mësohet t’u ketë thënë shokëve të skuadrës se do të shkojë te Monchi, referuar drejtorit sportiv të Romës, duke pranuar në këtë mënyrë rikthimin në kampionatin italian të futbollit.

Ajo që mbetet për t’u saktësuar tashmë, është nëse verdhekuqtë do të kërkojnë afrimin e brazilianit që në janar, apo do të presin verën e ardhshme, për të negociuar një shifër më të ulët të kartonit të tij.