Prezantohet Ardian Mema. “Në fillim isha në mëdyshje për të drejtuar Tiranën”

16 Tetor, 2018 264 Pa Komente

Duhej të vinte dita e hënë që Tirana të zyrtarizonte si trajner të ri Ardian Memën. Edhe pse ky i fundit ka disa ditë që ka dalë në stërvitje për të drejtuar bardheblutë vetëm sot ka hedhur firmën mbi kontratë. Mema ka firmosur për 1 vit me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon me 24 herë kampionët. Nga kompleksi stërvitor Skënder Halili, Mema këtë të hënë foli gjithashtu për herë të parë për mediat si timonieri i ri i Tiranës, duke nënvizuar se nuk ishte 100% i bindur për zgjedhjen e tij.

“Tirana është klub i madh dhe unë kam dalë nga ky klub. Me thënë të drejtën e prita pak me skepticizëm për shkak se situata që po kalonte nuk ishte fort e këndshme. Të them të drejtën është shumë kalendar i vështirë. Duhet të fus frymën e grupit për t’iu rikthyer rezultateve të mira. Shpresoj që ekipi të jetë në një atmosferë më të mirë se periudha që po kalon.”

Për ndeshjen e rradhës ndaj ish skuadrës së tij Flamurtarit që do të jedtë e para për të në stolin e bardhbluve Mema shtoi.

“Flamurtari është një ekip i mirë, sepse ka trajner Ilir Dajën. Unë kam punuar gjatë me të, është trajneri më i mirë në Shqipëri. I përgatit mirë ndeshjet. Unë e njoh gjendjen atje, dhe do e përgatis mirë këtë ndeshje. Ne nuk shkojmë të dorëzuar në Vlorë, shkojmë për rezultat pozitiv.”