Partizani – Skënderbeu. Në orën 19.00 luhet për kreun e Superiores

29 Tetor, 2018 38 Pa Komente

Luhet kreu në ndeshjen që përmbyll javën e 10-të të Superiores. Partizani-Skënderbeu, legjenda që kërkon rikthimin te lavdia përballë dominuesve të dekadës së fundit. Një sfidë totale në fushë dhe jashtë saj, sepse nuk përballen dy skuadra, por dy klube rivale.

Në planin futbollistik me shumë pritshmëri, një sfidë që përplas dy filozofi të ndryshme, dy stile të ndryshme loje, deri më tani të suksesshme. Partizani i Skënder Gegës karakterizohet nga forca e grupit, besimi te të rinjtë dhe dëshira për të folur vetëm në fushë. Në sulm elasticiteti i Bardhi, Asani dhe Mala, që merren vesh shumë mirë me njëri-tjetrin, dinë të shërbejnë dhe ndryshojnë shpesh pozicionet, duke çoroditur kundërshtarët.

Bruno Telushi është goleadori i mesfushës. Një mbrojtje e hekurt, që ka pësuar vetëm 2 gola gjatë gjithë fazës së parë, një në premierën e kampionatit me Skënderbeu dhe tjetri në ndeshjen me Luftërari. Do të mungojë Lorenc Trashi, një figurë e domosdoshme deri më tani për të kuqtë, një titullar i padiskutueshëm, këtë herë i lënë jashtë për arsye disiplinore.

Përballë Skënderbeu, një skuadër që është mësuar të fitojë, por që këtë vit nuk ka më hijen e rëndë të edicioneve të shkuara. Vetëm dy pikë më pak se të kuqtë, një mekanizëm lojë i kolauduar prej kohësh, edhe pse këtë vit disa nga ingranazhet kanë ndryshuar në sajë të largimeve të verës.

Skema, ajo e vitit të kaluar. Një 4-3-3, krahët me Gripshi dhe Bregu, me këtë të fundit vendimtar në ecurinë e ndeshjeve të këtij sezoni. Sulmojnë pa fund, por vendimtarë edhe në presing, me dëshirën për ta rikuperuar menjëherë topin. Oto John apo Krasniqi, në majë të sulmit nuk duket ndonjë ndryshim i madh, problem i vërtetë është Muzaka, një lojtar i vështirë për t’u zëvendësuar.

Po ashtu edhe Radas, jo më kot është kapiteni. Eksperiencë, saktësi dhe personalitet në një repart ku Skënderbeu ka më shumë alternativa. Përballen dy skuadrat më të mira të kampionatit e për rrjedhojë një 90-minutësh shumë i vështirë për t’u parashikuar. Partizani dhe Skënderbeu në një akt të rëndësishëm në procesin e e vendosjes së hierarkive në futbollin shqiptar.