Pakult do kreun: Korçarët do i mund !

28 Shkurt, 2018 212 Pa Komente

Për trajnerin austriak të Kukësit, fitorja në ndeshjen ndaj Skënderbeut është objektivi i vetëm. Në daljen e tij para mediave, trajneri është shprehur se lojtarët janë të motivuar dhe se do të dëshironte që rivali të ishte i plotë.

Tri ndeshjet e fundit tri fitore, është gati Kukësi për sfidën ndaj Skënderbeut?

Para se të flas për ndeshjen, dua të them diç- ka tjetër. Kam parë dhe kisha një informacion, që shkruhej sikur unë kam probleme me menaxherin z. Halili. Kjo, për faktin se ai nuk ka qenë prezent në dy konferencat e fundit, por ai nuk e ka për detyrë të jetë këtu, nuk do të thotë asgjë. Dua të them se s’ka asnjë problem mes nesh. Dua ta sqaroj këtë gjë, sepse nuk më kanë pëlqyer këto fjalë. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe nuk ka ndodhur asgjë mes nesh.

Të flasim për ndeshjen…

Këto tri ndeshje kanë qenë shumë pozitive për ne. Shpresoj që këtë ecuri ta kemi edhe nesër (sot) me Skënderbeun, edhe pse qëndron më lart se ne në renditje dhe ka ekip të mirë. Nëse vazhdojmë të luajmë në atë mënyrë si ndaj Laçit, besoj se kemi shanse të mira kundër Skënderbeut.

Do të ndikojë fakti që korçarët kryesojnë klasifikimin me një diferencë të madhe pikësh?

Të them të drejtën, nuk shoh diferenca, e kam thënë dhe javë më parë, por unë kërkoj që ndeshjet t’i marrim një nga një dhe të rritemi në nivelin e lojës. Sfidat e fundit kemi bërë mirë dhe kemi fituar pikë. Shpresoj të vazhdojmë kështu. Sa i përket motivimit, nuk duhet shumë të flasim për të, pasi duhet të ndjekim ecurinë pozitive. Është fakt që kundër Laçit kishim mungesat tona, katër shumë të rëndësishme, por morëm më të mirën prej ekipit, fituam ndeshjen.

E favorizojnë ekipin tuaj mungesat që do të ketë kundërshtari?

Nuk i besoj shumë teorisë së mungesave, pasi kështu ishim edhe me Partizanin, në situatë të njëjtë dhe u mendua se u fitua ndeshja para kohe, por nuk ndodhi ashtu. Jam një trajner që nuk besoj shumë te këto gjëra, por ne me ekipin që kemi të gatshëm mundohemi të bëjmë më të mirën. E kam thënë para ndeshjes me Partizanin dhe e them sërish se për mua është më mirë që kundërshtari të jetë me formacionin e tij më të mirë, jo me lojtarë që ekipi ynë nuk i njeh. Sa i përket motivimit, ai është i madh, pasi ne luajmë në shtëpinë tonë dhe ndaj një kundërshtari direkt që është në vendin e parë. Duhet ta shfrytëzojmë faktin që luajmë në fushën tonë, ku do të kemi edhe mbështetjen e tifozërisë.

Si është situata e dëmtimeve?

Alla nuk do të jetë as në këtë ndeshje, ndërsa për Shametin do të vendosim para se sfida të nisë.

I keni kërkuar presidentit, apo do t’i kërkoni që kjo të jetë ndeshja e fundit në “Zeqir Ymeri” dhe të luani në “Elbasan Arena?”

Është fakt që kemi bërë një bisedë me drejtuesit për ndryshimin e stadiumit, por nuk kemi vendosur akoma asgjë. Do ta mendojmë me qetësi. Nëse shkojmë të luajmë në Elbasan ka disa gjëra pozitive, por edhe negative. Është një temë që po e shqyrtojmë dhe ditët në vazhdim do marrim një vendim.

E rihap kampionatin një fitore e Kukësit dhe, në të kundërt, një humbje e mbyll përfundimisht atë?

Mendoj se pas ndeshjes së nesërme (sot) do të flasim më shumë për këtë temë.