Napoli mposht Liverpool. PSG luan tenis me Crvena Zvezda

4 Tetor, 2018 251 Pa Komente

Barcelona dhe Inter kanë hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt kualifikimit në Grupin B, pasi kanë fituar ndeshjet respektivisht kundër Tottenhamit dhe PSV dhe kanë shkuar në krye të grupit me nga 6 pikë.

Katalanët triumfuan me rezultatin 2-4 në “Wembley”, me gola të Coutinho, Rakitic dhe Messi dy herë, ndërsa për vendasit shënuan Kane dhe Lamela, por pa mundur të ndryshojnë rrjedhën e takimit.

Nga an tjetër zikaltrit e panë veten në disavantazh në Holandë, që në minutën e 27’, kur Rosario shënoi për vendasit, por skuadra e Spalletti reagoi dhe rigjeti baraspeshën në minutën e 44-t, kur shënoi Radja Nainggolan.

Në 45-minutëshin e dytë, konkretisht në minutën e 60’ ishte kapiteni Mauro Icardi ai që shënoi golin me vlerë 3-pikëshe për milanezët, ndërsa PSV iu afrua disa herë golit të barazimit, por Handanovic ishte në lartësinë e detyrës.

Aktualisht në këtë grup Barcelona dhe Inter janë në krye me nga 6 pikë, ndërsa Tottenham dhe PSV nuk kanë asnjë pikë pas dy ndeshjeve të para, por dy takimet e ardhshme do të impenjojnë dy herë kryesueset përballë njëra-tjetrës, dhe anglezët do të përballen dy herë me PSV, për të rikuperuar pikët e lëna.

Edhe në grupin A, Atletico Madrid dhe Borussia Dortmund morën fitoret e radhës, duke shkuar në kuotën e 6 pikëve të dyja dhe duke lënë Monaco dhe Club Brugge pa asnjë pikë, pas dy ndeshjeve të para. Spanjollët mposhtën belgët e Club Brugge me rezultatin 3-1, ndërsa Dortmund triumfoi ndaj Monaco me rezultatin e pastër 3-0.

Në grupin C, Napoli arriti të shënojë në minutat e fundit një gol me anë të Lorenzo Insigne dhe të mposhtë Liverpool me rezultatin minimal 1-0, duke marrë 3 pikët dhe duke u ngjitur përkohësisht në vendin e parë me 4 pikë.

Llogaritë në këtë grup janë të pamundura, pasi krahas Napoli dhe Liverpool, në garë për kualifikim është edhe PSG, e cila shkatërroi me rezultatin 6-1 Crvena Zvezdën.