Messi rifillon stërvitjen por rikthimi është ende larg

1 Nëntor, 2018 57 Pa Komente

Vetëm 11 ditë pasi u dëmtua në bërrylin e djathtë, gjatë ndeshjes përballë Sevillas në kampionatin spanjoll, Lionel Messi ka rinisur stërvitjen me ekipin e Barcelonës.

Pavarësisht se ka filluar vrapin dhe punën me topin, argjentinasi pritet të mungojë edhe për 3 javë të tjera. Katalanasit shpresojnë që ylli i tyre të jetë gati për ndeshjen e rëndësishme kundër Atletico më 24 nëntor.

Në seancën stërvitore të zhvilluar në qendrën sportive “Sant Joan Despi”, Messi ka punuar së bashku me Jordi Alba dhe Gerard Piqué, ndërkohë futbollistë të tjerë si Suárez, Coutinho dhe Rakitic kanë bërë ushtrime specifike në palestër.

Gjithsesi, pavarësisht mungesës së kapitenit, skuadra blaugranase ka treguar dhëmbët në takimet e fundit. Barça morri suksese përballë Interit në Champions, si dhe në “El Clasico” kundër Realit me rezultatin 5-1, e cila ishte gjithashtu e para pas 9 vitesh, ku nuk luanin njëri mes “Pleshtit” dhe Cristiano Ronaldo.

Pavarësisht se kaloi një periudhë të vështirë gjatë fundit të shtatorit, ekipi i Valverdes ka rimarrë kryesimin në kampionat, duke qenë në kuotën e 21 pikëve, të ndjekur nga Alaves me 20 dhe Sevilla e Atletico me nga 19 pikë secila. Ndeshja e ardhshme për katalanasit do të jetë në fushën e Rayo Vallecanos, që gjenden në vendin e parafundit të La Ligas me vetëm 6 pikë të grumbulluara.