Marotta te Inter. Shumë shpejt fillon lëvizjet në merkato

19 Nëntor, 2018 121 Pa Komente

Zyrtarizimi është duke ardhur, pritet të bëhet së shpejti. Giuseppe Marotta do të jetë kryeshefi i ardhshëm i Inter për aspektin sportiv, së bashku me Alessandro Antonello, i cili do të vazhdojë të kryejë detyrat financiare në klub.

Ish-ekzekutivi i Juventus është në Kinë për të finalizuar detajet e fundit të kontratës, që do ta lidhë atë me zikaltrit për tri vitet e ardhshme. Më pas, Marotta premton goditje në merkato. Nga vera e ardhshme mbaron kushtëzimi i “fair play financiar” për Inter.

Me ardhjen e menjëhershme të Marotta, kanë filluar të marrin formë edhe strategjitë zikaltër në merkato. Inter do të jetë protagonist i sigurtë në muajt e ardhshëm, kur priten investime të mëdha, por jo të ekzagjeruara.

Siç është raportuar nga “Corriere dello Sport”, një nga emrat në krye të listës së përforcimeve, i ndjekur nga Marotta, është Sergej Milinkoviç-Savic. Serbi është një nga objektivat madhorë të 61-vjeçarit, tashmë i ndjekur nga afër prej tij për disa muaj, sa drejtonte merkaton te Juventusi.

Çmimi i lojtarit të rëndësishëm të Lazio është mjaft i shtrenjtë, ndërsa negocimi me Lotito nuk do të jetë i lehtë, siç mëson historia. Megjithatë, Interi mbetet “në dritare” dhe është gati të hyjë në garën për serbin, duke qenë i përgatitur për ndonjë zhvillim të papritur të situatës.

Vëmendje të madhe do të ketë Marotta edhe për një transferim me parametra zero, të kërkuar nga Marotta në Torino. Rabiot është një nga profilet më tërheqëse, si Martial, Ander Herrera dhe Ramsey, për të cilët, megjithatë, mbetet në avantazh të qartë Bayern Munich. Do të jetë një Inter i ri dhe i fortë, prandaj lojtarë si Andersen i Sampdoria dhe Frenkie de Jong nga Ajax janë kthyer në qendër të interesit zikaltër.