Manchester United rinovon kontratën me De Gea

30 Nëntor, 2018 67 Pa Komente

Manchester United ka shfrytëzuar klauzolën automatike në kontratën e David De Geas, për t’ia rinovuar marrëveshjen portierit deri në vitin 2020. Klubi anglez ishte i vetëdijshëm që lojtari do të ishte i lirë të fliste me skuadra të tjera, duke filluar nga 1 janari, duke qenë se i skadonte kontrata në 2019.

Paris Saint-Germain dhe Juventus janë të interesuara për numrin 1 të Spanjës, i cili është në bisedime me United për zgjatjen e kontratës, që nga merkatoja e verës.

Deri më tani ka progres në negociata dhe De Gea është gati të zgjasë akoma më shumë aventurën e tij 7-vjeçare në “Old Trafford”, nëse rroga do t’i barazohet me lojtarin më të paguar të skuadrës, Alexis Sanchez. Mësohet se ish-portieri i Atleticos së Madridit ka refuzuar ofertën prej 275 mijë paundësh në javë, duke kërkuar të paktën 300 mijë.

Deri më tani, Luke Shaw dhe Marouane Fellaini kanë nënshkruar marrëveshje të reja me ekipin, dhe De Gea kërkon të vlerësohet në të njëjtën mënyrë. Ndërkohë, pas zgjatjes automatike, skuadra e Mourinhos i ka dhënë më shumë kohë vetes për të gjetur akordin me spanjollin.

Gjithsesi, klubi nga Manchester mund të detyrohet ta shesë 28-vjeçarin verën e ardhshme, nëse dëshiron të mos rrezikojë me pak ose aspak përfitim, në vitin 2020. Aktualisht, De Gea konsiderohet si një nga futbollistët më të rëndësishëm dhe për këtë arsye, vështirë se ekipi nuk do t’ia plotësojë kërkesat.