Maldini: “Të harrojmë derbin. Objektivi ynë është vendi i katërt

27 Tetor, 2018 16 Pa Komente

Paolo Maldini po përpiqet të ndërtojë një Milan të ri, së bashku me Leonardo, presidentin Scaroni dhe pronarët e fondit “Elliott”. Problemet nuk mungojnë, megjithatë, dhe për momentin ajo që përcjell një ajër negativ mes tifozëve kuqezinj është humbja e derbit të fundit.

Paolo Maldini foli me rastin e një mbrëmjeje të titulluar “Tumori di via Venezian”, të organizuar nga profesor Regalia. Natyrisht, ai u pyet për momentin e keq të Milan.

“Në derbi kemi luajtur keq, është e vërtetë, dhe e kuptojmë zhgënjimin e madh që la ajo ndeshje. Por, ne do të shikojmë përpara me besimin se duhen nxjerrë mësime nga dy humbjet e fundit radhazi , duke pasur parasysh se nga vendi i gjashtë, ku jemi, objektivi që i kemi vendosur vetes është i katërti, çka përbën një përmirësim të rëndësishëm. Ne tani kemi dy ndeshje të ngjeshura në “San Siro”, kundër Spamdoria dhe Genoa, të cilat duhet t’i mbyllim me sukses. Ekziston besimi për këtë, sepse Milan ka prodhuar lojëra të mira në pothuajse të gjitha ndeshjet. Derbi ndaj Inter nuk ishte, megjithatë, në nivelin e pritshmërive tona”.

Me pak fjalë, ndeshjet e ardhshme kundër Sampdoria dhe Genoa do të jenë vendimtare për Milan dhe për vendin e katërt. Përveç kësaj, natyrisht, edhe për pozitat e trajnerit Gattuso.