Malcom drejt largimit? Barcelona mendon për futbollistin e Chelsea

5 Nëntor, 2018 13 Pa Komente

Paraqitjet e mira të bëra nga Malcom në ndeshjet para sezonale me Barcelona janë harruar tashmë. Lojtari ka vendosur të largohet pasi nuk bën pjesë në planet e Ernesto Valverde, duke qenë se deri tani ka luajtur vetëm 3 ndeshje, 2 në La Liga dhe 1 në Kupën e Mbretit.

Për të plotësuar vendin e lënë bosh nga Malcom, Barça ka zgjedhur një lojtar që e ka dëshmuar me kohë që është në gjendje të luajë në ekipet më të mëdha europiane. Lojtari në fjalë është Willian i Chelsea.

Mesfushori me tipare sulmuese ndihmoi ekipin e tij me paraqitjet që bëri në Champions e sezonit të kaluar, duke tërhequr edhe vëmendjen e katalanasve.

Pengesa kryesore për spanjollët do të ishte trajneri i “Bluve”, Maurizio Sarri, i cili, edhe pse nuk e sheh Willian si një pikë kyçe në ekip, e di se kur ai është në fushë niveli i lojës rritet ndjeshëm.

Barça është duke parë të gjitha mundësitë për merkaton e dimrit, ku dëshiron të bëjë afrimet e nevojshme për të fituar Championsi e shumëpritur, të cilin rivalët e tyre më të mëdhenj, Real Madrid, e kanë fituar tri herë radhazi.

Malcom është drejt largimit dhe Willian është në pritje të mundësisë së tij për të luajtur me atë që për shumë persona është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, Leo Messi.