Kategoria Superiore. Tirana tenton kthesën. Partizani kërkon i vetëm kreun

3 Tetor, 2018 64 Pa Komente

Kategoria Superiore do të rikthehet sot me 4 nga 5 takimet e javës së 7, të cilat do të luhen në dy fasha oraresh.

Kështu pas konfirmimit të trajnerin Ze Maria, Tirana do të udhëtojë drejt Fushë Krujës, ku në stadiumin “Redi Maloku” do të përballet me skuadrën e Kastriotit, në orën 13:45, në një sfidë ku 3-pikëshi duket një detyrim.

Bardheblutë vijnë pas disfatës në derbi dhe në 6 javët e para kanë grumbulluar vetëm 5 pikë, ndërsa duket se dy ndeshjet e ardhshme, kjo ndaj Kastriotit dhe ajo e fundjavës ndaj Laçit, do të jenë mundësitë e fundit për teknikun brazilian, që të ruajë pankinën e tij.

Nga ana tjetër përballë do të gjejnë Kastriotin, një skuadër e ngjitur vetëm këtë sezon në Kategorinë Superiore, që ka grumbulluar vetëm 4 pikë në 6 javët e para dhe që për të synuar mbijetesën, duhet të mbledhë sa më shumë pikë në ndeshjet në fushën e saj.

Krutanët e drejtuar nga shkodrani Elvis Plori janë një skuadër që impenjohet shumë në fushë dhe u hap shumë probleme kundërshtarëve, por kanë një pikë të dobët, që është mungesa e eksperiencës te lojtarët.

Po në të njëjtën orë, por pak kilometra më në veri të vendit, në Laç vendasit e drejtuar nga trajneri Mërgjyshi do të presin Flamurtarin e Vlorës. Kjo sfidë ka prodhuar shpesh polemika në vitet e fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, edhe sot pritet të ndiqet me një interes të madh.

Laçi është skuadra e vetme e pamposhtur e Superiores dhe do të kërkojë të ruajë sa më gjatë të jetë e mundur këtë rekord, teksa ndaj vlonjatëve do të synojnë një tjetër 3-pikësh, për të konsoliduar pozitat në renditje.

Nga ana tjetër skuadra e Dajës vjen pas triumfit bindës ndaj Kastriotit dhe me një moral mjaft të lartë, por ka ende probleme me dëmtimet dhe gjetjen e ekuilibrave në formacion. Gjithsesi vlonjatët janë një skuadër e ndërtuar për të synuar suksesin dhe nuk kanë ndërmend të fshihen as në Laç, prej ku do të synojnë të kthehen me 3 pikë.

Në Gjirokastër do të përballen Luftëtari dhe Kamza, dy skuadrat e vetme që kanë ndërruar timonierët me të cilët startuan sezonin dhe presin të bëjnë kthesën e madhe, për t’u shkëputur nga fundi i renditjes.

Bluzinjtë e Mezanit renditen në vendin e fundit me vetëm 3 pikë, por me ardhjen e teknikut vlonjat, në skuadër është rikthyer qetësia dhe optimizmi, ndaj pritet që të synohet një tjetër fitore ndaj Kamzës, për t’u larguar nga fundi.

Nga ana tjetër, skuadra e drejtuar nga Klodian Duro vjen pas dy humbjeve radhazi, ndonëse me rezultat minimal, ndaj Kukësit dhe Laçit, Tekniku elbasanas theksoi sërish në konferencën e djeshme për shtyp, se skuadra e tij do të përpiqet të luajë një futboll të bukur dhe të synojë fitoren në çdo takim, pavarësisht kundërshtarit.

Vetëm 3 orë më vonë, në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, Partizani kryesues do të presë Teutën e Durrësit, në një sfidë ku të besuarit e Gegës do të kërkojnë të konfirmojnë momentin e mirë që po kalojnë.

Partizani vjen pas triumfit në derbi dhe këtë sezon nën drejtimin e Gegës po shfaq një disiplinë taktike për t’u admiruar, ndaj jo më kot është skuadra me mbrojtjen më të mirë, me vetëm një gol të pësuar.

Por përballë do të gjejë Teutën, një tjetër skuadër që kujdeset shumë për lojën në prapavijë, ndaj duke qenë se iniciativa do të jetë e “të kuqve”, nuk përjashtohet edhe surprizat. Edhe Teuta vjen me moral të lartë në këtë takim, pasi arriti të mposhtte Skënderbeun në fundjavë, me rezultatin bindës 2-0.