Juventus, United, Bayern, Roma, Real, City, Ajax sigurojnë kualifikimin

28 Nëntor, 2018 31 Pa Komente

Juventus mposhti me rezultatin 1-0 Valencia, falë një goli të shënuar nga Mario Mandzukic në minutën e 55-të, dhe siguroi kalimin për në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve.

Në të njëjtin grup, edhe Manchester United mori një fitore minimale 1-0, falë një goli të shënuar nga Fellaini në minutën e parë shtesë, ndërsa me këtë 3-pikësh, edhe “Djajtë e kuq” sigurojnë kalimin në fazën e 1/8-ave.

Në kampionat zhgënjeu, por në Ligën e Kampionëve duket sikur luan një tjetër Real Madrid, pasi skuadra e Solarit triumfoi me rezultatin 0-2 në “Olimpico” ndaj Romës dhe siguroi kalimin në fazën e 1/8-ave, si vendi i parë i grupit. Gareth Bale në minutën e 47’ dhe Lucas në minutën e 59’, ishin autorët e golave për skuadrën madrilene në transfertën italiane.

Bayern Munchen mposhti me rezultatin e thellë 5-1 Benficën dhe siguroi kualifikimin për në fazën e 1/8-ave, pasi në “Allianz Stadium” zhvilloi një ndeshje në kufijtë e perfektes. Dy herë Arjen Robben, dy herë sulmuesi polak Robert Lewandowski dhe më pas fantazisti francez Ribery, ishin autorët e golave për skuadrën e Kovac, që javën e fundit do të luajë për vendin e parë me Ajax në Hollandë.

Skuadra tjetër gjermane, Hoffenheim u mposht në shtëpi me rezultatin 2-3 nga ukrainasit e Shakhtar Donetskut, ndërsa në të njëjtin grup, Lyon dhe Manchester City u ndanë në barazim 2-2.