Joachim Low nuk largohet. Federata e konfirmon në krye të ‘panzerave’

4 Korrik, 2018 468 Pa Komente

Gjermania ishte padiskutim zhgënjimi më i madh i botërorit “Rusi 2018”, pasi jo vetëm që nuk mbrojti dot titullin kampion, por u eliminua që në fazën e grupeve, ku u rendit e fundit.

Humbja 2-0 ndaj Koresë së Jugut shkaktoi një dëshpërim dhe zemërim të thellë te gjermanët, aq sa nuk munguan zërat për një revolucion të mundshëm në pankinë dhe skuadër.

Gjithsesi pasi kanë kaluar disa ditë dhe gjërat janë analizuar me qetësi, Federata Gjermane e Futbollit ka vendosur të vijojë punën me teknikun Joachim Low në krye.

Ky i fundit kishte rinovuar kontratën deri në vitin 2024 para se të nisej për në Rusi, ndërsa tani mund të vijojë i qetë punën te “Pancerat”, pasi ka marrë besimin e drejtuesve të federatës.

Gjithsesi nëse Low u konfirmua, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për një pjesë të mirë të futbollistëve të skuadrës, të cilët zhgënjyen në Rusi.

Kështu Ozil, Muller, Gomez, Khedira dhe ndonjë tjetër, vështirë se do të kenë më mundësinë të veshin bluzën e Gjermanisë, ndërsa Low do të nisë punën për të synuar triumfin që në Europianin e ardhshëm.