Jamie Vardy: “Sot do të luajmë për presidentin tonë”

3 Nëntor, 2018 9 Pa Komente

Pavarësisht gjithçkaje spektakli duhet të vazhdojë. Me zemër të rënduar, Leicester i Puel do të luajë sot në fushën e Cardiff, ndeshje e vlefshme për javën e 11-të të Premier League.

Një sfidë kjo që do të luhet pak ditë pas vdekjes tragjike të presidentit Vichai Srivaddhanaprabha. Përveç trajnerit të “Dhelprave”, në konferencën tradicionale për shtyp ka dalë edhe Jamie Vardy, sulmuesi që i dhuroi titullin historik klubit në 2016-ën dhe një nga më të prekurit nga vdekja e ish-presidentit.

“Kemi folur për gjithçka dhe duam të luajmë kundër Cardiff, – ka thënë sulmuesi për Sky Sports. – Kjo është ajo që Vichai do të kishte dashur dhe ne do ta bëjmë”.

“E dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe do të futemi në fushë për të nderuar emrin e tij dhe për të fituar. Do të jetë e vështirë dhe shumë emocionuese, por kemi folur në lidhje me këtë. Njerëzit thonë se rezultati nuk ka rëndësi, por për ne është thelbësor dhe duam që të jetë pozitiv”, ka përfunduar sulmuesi anglez.