Inter në kërkim të qendërmbrojtësve. Ausilio me mision në Londër

16 Nëntor, 2018 159 Pa Komente

Me Milan Skriniar që duket se po luan sezonin e fundit me Inter, për shkak të ofertave të shumta, zikaltrit kanë nisur nga puna për të gjetur zëvendësuesin e tij, për të mos u kapur të papërgatitur në merkaton e verës së ardhshme.

Emri më i përfolur është ai i qendërmbrojtësit danez të Sampdoria, Joachim Andersen, i cili erdhi këtë verë nga Twente dhe po zhvillon paraqitje mjaft bindëse, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve.

Ausilio ka nisur kontaktet me agjentët e futbollistit dhe drejtuesit e Sampdoria, por paralelisht po punon edhe për një plan B, pasi me Mirandën që i peshojnë vitet mbi supe, rrezikon të mbetet vetëm me De Vrij si zgjedhje të besueshme.

Kështu zikaltrit kanë kontaktuar me dy futbollistët belgë të Tottehnam, Toby Alderweireld dhe Jan Vertonghen, të cilët kanë kontratë me londinezët deri në fund të këtij sezoni dhe më pas mund të largohen si lojtarë të lirë.

Për të parin, mediat angleze raportojnë se Tottenham po përgatit një ofertë rinovimi, ndërsa Vertonghen, që në qershorin e ardhshëm do të jetë 32 vjeç, ka filluar të mendojë për destinacionin e tij të ardhshëm.

Këtu duan të përfitojnë zikaltrit, që janë gati t’i ofrojnë futbollistit një kontratë 2-vjeçare, për të marrë me parametra zero një mbrojtës me mjaft eksperiencë edhe në arenën ndërkombëtare.