Iniesta: “Pas tripletës kam kaluar një periudhë të vështirë”

27 Nëntor, 2018 49 Pa Komente

Andres Iniesta ka pasur momentet e tij të errëta, sfida të vështira për të zhvilluar, e jo vetëm në fushën e lojës. “Gjeniu” i mesfushës spanjolle, që tashmë aktivizohet në kampionatin japonez, ka folur për këto momente në një intervistë për medien spanjolle, duke pranuar se ka vuajtur nga depresioni, të cilin e ndjeu pas “tripletës” së fituar në vitin 2009.

“Gjithçka ndodhi pas fitores së 3 trofeve me Barcelonën. Fiton gjithçka, shënon gol ndaj Chelseat… ishte një vit i jashtëzakonshëm. Por gjatë verës fillon të ndihesh keq, ndodh diçka e çuditshme dhe nuk di si ta quash. Kujtoj që vinim nga përgatitjet parazonale, e një pasdite në shtëpi e ndjeva veten keq. I telefonova mjekut për të më ndihmuar. Prisja që të vinte nata për të marrë pilulat dhe të pushoja. Njerëzit lëvizin nga një shpresë, dëshirë, objektiv”, tha Iniesta.

Me Barcelonën, Iniesta ka përjetuar shumë momente të lavdishme, por edhe tensionesh, në ndeshjet me Realin e Madridit, kur ky i fundit kishte në pankinë Jose Mourinhon.

“Nuk është e nevojshme të jesh me Barcelonën, apo Realin, për të kuptuar së në atë kohë u krijua një situatë e pakëndshme. Elementi kyç i të gjithë kësaj historie ishte Mourinho. Ai që nuk dëshiron ta shohë këtë, kalon në radikalizëm. Në atë kohë nuk shikoje rivalitetin e përjetshëm, shihje urrejtje, teksa u kalua çdo kufi dhe u krijua një ambient i padurueshëm”, shtoi Iniesta.