Gattuso: “Salvini të merret me hallet e vendit jo me Milan”

26 Nëntor, 2018 46 Pa Komente

Zëvendës-kryeministri i Italisë, Matteo Salvini njihet si një tifoz i “çmendur” i Milan dhe nuk e ka kapërdirë aspak mirë atë gol të Lazios në minutat shtesë, që u hoqi kuqezinjve fitoren nga duart.

Në një intervistë të dhënë pas ndeshjes, Salvini sulmoi trajnerin Gattuso për faktin se vendosi të mos kryejë asnjë zëvendësim gjatë gjithë ndeshjes, duke mbajtur në fushë edhe lojtarët që kishin shpenzuar shumë energji.

“Ishte një ndeshje e vështirë, me shumë mungesa dhe pas golit të avantazhit, ishte shumë me rëndësi të mbronim rezultatin, por nuk e kuptova çfarë priste Gattuso për të bërë zëvendësimet. Duhet të kishte hequr Borinin, që po lëvizte më ngadalë se gjyshja ime, por edhe ndonjë lojtar tjetër që kishte shpenzuar shumë energji. Kishte në stol Laxalt dhe Castillejo, që mund të shtonin shpejtësinë dhe energjinë në skuadër, në minutat e fundit”, deklaroi Salvini.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Gattusos, që i sugjeroi zëvendës-kryeministrit që të merret me hallet e shumta të vendit, përpara se të shqetësohet për vendimet dhe strategjitë e trajnerit të Milanit.

“Me kaq shumë probleme sa ka vendi, nuk e kuptoj se ku e gjen kohën Salvini, të shqetësohet edhe për zgjedhjet e mia të Milani”, deklaroi Gattuso pas ndeshjes.