Finalja e Copa Libertadores nuk do të zhvillohet në Argjentinë

28 Nëntor, 2018 58 Pa Komente

Zyrtarët e institucionit drejtues të futbollit në Amerikën e Jugut, CONMEBOL, pritën në zyrat e tyre në Paraguai, përfaqësues nga dy klubet finaliste të Kupës së Libertadores, River Plate dhe Boca Juniors.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, pritej të merrej një vendim në lidhje me finalen e kthimit, e cila nuk u luajt të shtunën në stadiumin “Monumental”, të Riverit, pasi tifozët e kësaj skuadre sulmuan me gurë dhe gaz lotsjellës autobusin e ekipit kundërshtar.

Në një komunikatë të lëshuar para pak minutash, CONMEBOL ka njoftuar se është vendosur që sfida të luhet më datat 8 ose 9 Dhjetor, jashtë Argjentinës, ndërsa në një moment të dytë do të vlerësohet vendi dhe data e saktë dhe ora e takimit.

Gjithashtu vlen të theksohet se Komisioni i Disiplinës i CONMEBOL ka hapur edhe një hetim për incidentet e tmerrshme, në hyrje të stadiumit “Monumental”, ndërsa mediat argjentinase paralajmërojnë se River Plate rrezikon të humbasë sfidën 0-3 në tavolinë.