Emery: “Ndryshoj nga Wenger. Kam sjellë ide të reja”

23 Nëntor, 2018 15 Pa Komente

Pasi u përzgjodh si trashëgimtari i Arsene Wenger, pas mbretërimit 22-vjeçar të francezit në stolin e Arsenal, spanjolli Unai Emery deklaron se skuadra e “Emirates Stadium” kishte nevojë të hapte dyer e dritare për të futur ajër të ri në ambientin e tij. Ish trajneri i Sevillas vjen në një prononcim të sinqertë për detyrën e tij të re.

“Unë isha pjesë e një liste prej tetë kandidatësh potencialë për të zëvendësuar Wenger dhe emërimi im në stolin e Arsenal erdhi falë insistimit të Arturo Canales, i cili bindi gjithë drejtuesit se isha zgjedhja e duhur. Ngelej që dhe unë t’i bindja drejtuesit dhe këtë e bëra me performancën time në klube si Paris Saint-Germain, Sevilla, Valencia, Spartak Moscow, Almeria, etj. Me gjithë dyshimet për anglishten time, isha i përgatitur për të marrë misionin tim të ri. Sot nuk ndodh më që një trajner të qëndrojë në stolin e një ekipi për 22 vite, pasi “karriget” lëvizin me shpejtësi, me qëllim për të sjellë ndryshime dhe motivim. Më takonte të sillja ide të reja, ajër të ri në këtë ambient dhe e bëra këtë që në fillim”, tha tekniku spanjoll.

Gjithsesi, Emery zbulon se filozofia e tij nuk ndryshon shumë nga ajo e Wenger, pasi të dy teknikët kanë mentalitet fituesi dhe këtë e dëshmon qartë edhe e kaluara e tyre.

“Mendoj se çdo trajner ka filozofinë e tij, por në thelb e imja nuk ndryshon shumë nga ajo e Wenger, gjithsesi kishte disa zakone në ekip të cilat jam munduar t’i heq. Duke filluar nga ushqimi, stërvitja. Jam detajist si natyrë, diçka sa pozitive aq dhe negative. Puna e madhe më karakterizon dhe këtë e kërkoj dhe nga lojtarët e mi. Pas çdo takimi analizojmë në detaje ndeshjet”, deklaroi Emery.

Sidoqoftë Arsenal nën drejtimin e Emery ka treguar të dhëna kontradiktore lidhur me stilin. Pikërisht për këtë fundit Emery shpjegon se nën drejtimin e Wenger skuadra bazohej tek një mbrojtje solide ndërkohë që spanjolli dëshiron të unifikojë sulmin me mbrojtjen për të qenë më kompetitivë. Arsenali ishte drejt rënies së lirë dhe Emery i takonte ta ndalte diçka të tillë.