Edhe Monaco në telashe për shkak të Fair Play Financiar

6 Nëntor, 2018 16 Pa Komente

Websit-i ivestigativ Mediapart në Francë ka publikuar dokumente që hedhin akuza të rënda mbi Monaco, që është përpjekur të përmbushë rregullat e Fair Play Financiar të UEFA-s (FFP) duke arritur marrëveshjen për një partneritet që do të krijonte të ardhura nga një firmë “offshore” e regjistruar në Hong Kong.

Në bazë të dokumenteve sekrete publikuar sot, UEFA ishte e gatshme të lejonte marrëveshjen në vitin 2014, për të mos e përjashtuar Monaco nga kupat e Europës.

Atë vit Monaco u kualifikua për në Champions League, pasi doli e dyta në Ligën 1 franceze dhe po kërkonte burime të ardhurash për të qenë në rregull me FFP, duke qenë se kishte një deficit më të madh se 30 milionë euro në tre sezonet e fundit, për shkak të blerjeve të kushtueshme në treg.

Për shkak se ishte një klub pa sponsorë të fuqishëm dhe stadiumi nuk është se mbushet, Monaco firmosi një marrëveshje me AIM Digital Imaging.

Kompania në fjalë kishte për detyrë të garantonte 140 milionë euro në harkun e 10 viteve, nëse klubi nuk i siguronte dot këto të ardhura.

Monaco i ka mohuar akuzat, me një deklaratë për shtyp: “Klubi mohon prerë anashkalimin e Fair Play Financiar nëpërmjet ndonjë kontrate me agjenci marketingu, ndryshe nga çfarë pretendohet nga media franceze dhe evropiane”.

“Monaco sqaron se kontrata përfshinte burime marketingu, sponsorizimi dhe të ardhura nga Champions League. Agjencia duhej të gjente 30 milionë euro nga burime shtesë.

“Gjithsesi, kjo kontratë rezultoi tepër ambicioze dhe e paarritshme, nuk është ekzekutuar kurrë dhe nuk është përfshirë në bilancet e klubit. Për pasojë, nuk është përdorur kurrë në kontekstin e Fair Play Financiar”.

Megjithatë, Football Leaks zbulon se në tetor 2014 Monaco arriti një marrëveshje edhe me City Concept Ventures, kompani fantazmë e regjistruar në British Virgin Islands, që do të investonte 140 milionë euro në vit te AIM Digital Imaging.

Mediapart pretendon se City Concept Ventures në realitet ishte një lodër në duart e miliarderit rus Dmitry Rybolovlev, i cili zotëron Monakon dhe me këto manovra do të arrinte të fuste para te Monako, pa thyer rregullat e Fair Play Financiar.

Monaco ndërmori edhe një fushatë intensive lotimi me kreun e FFP-së në atë kohë, Andrea Traverso, i cili ishte edhe në Monte Carlo, për një darkë në një hotel shumë luksoz.

UEFA hapi një hetim ndaj financave të Monakos në vitin 2015 dhe e gjobiti me 3 milionë euro, por ndërkohë nuk reagoi për kontratën me AIM, duke “mbyllur njërin sy”.

Më vonë plani i Monaco nuk u zbatua, sepse Rybolovlev dhe bosi i AIM, Bernard de Roos, patën disa mosmarrëveshje.