Dortmund zyrtarizon blerjen e Paco Alcacer

24 Nëntor, 2018 14 Pa Komente

Tashmë është zyrtare, Borussia Dortmund ka vendosur të ushtrojë të drejtën e blerjes përfundimtare për sulmuesin Paco Alcacer. Instikti vrasës që ka bomberi spanjoll përpara portës me 8 gola të realizuar në kampionat edhe pse është aktivizuar pak, 1 gol për çdo 29 minuta lojë, ka bërë që drejtuesit e klubit verdhezi të binden për aftësitë e lojtarit. Dortmundi i ka komunikuar sot klubit blaugrana vendimin për të ushtruar të drejtën e blejes së kartonit të Alcacer që kap shifrën e 28 milionë eurove. Një operacion që kap shifrën e 30 milionë eurove ky për Dormtundin nëse merren parasysh edhe 2 milionë euro që Borussia kishte paguar për huazimin e Alcacer në fillim të sezonit.

Në rast shitjeje nga ana e verdhezinjëve në të ardhmen Barcelona do të përfitojë 5% të shumës. Me Dortmundin Alcacer ka nënshkruar një kontratë afatgjatë deri në vitin 2023. Vetë sulmuesi 25-vjeçar u shfaq shumë i lumtur që do të jetë pjesë e Dortmundit edhe në të ardhmen duke deklaruar. “Jam shumë i lumtur te Dortmundi dhe ekipi është i mrekullueshëm. Ishte dhe është vendimi i duhur për mua. Do të jap maksimumin tim dhe dua t’iu falënderoj për besimin”, shprehet spanjolli për rinovimin, në një prononcim për faqen e klubit.

Për çështjen në fjalë ka folur dhe drejtori sportiv, Michael Zorc. “Sot informuam Barcelonën se do të shfrytëzojmë opsionin e blerjes së Alcacer. Pako është me gjithë zemër me ne, është integruar shpejt dhe është një pikë thelbësore e skuadrës. Ai është një golashënues i nivelit të lartë dhe ka vendosur disa ndeshje të rëndësishme në favorin tonë. Presim më shumë gola dhe asiste nga Paco në vitet e ardhshme”, përfundon zyrtari i Dortmundit.