Dokumentet që kompromentojnë Manchester City

8 Nëntor, 2018 63 Pa Komente

Manchester City dhe Paris SG janë vënë në qendër të vëmendjes së medieve kohët e fundit, pas publikimit të disa dokumenteve që flasin për “driblimin” e bërë nga këto dy klube përballë rregullores së “Fair Play Financiar”. Manchester City mësohet se ka ndërhyrë për të anashkaluar këtë rregull, nëpërmjet një projekti sekret të quajtur “Longbow”.

Ndërkohë, në dokumentet e zbuluara nga “Football Leaks” dhe të publikuara nga “Der Spiegel” tregohet se, Manchester City pagoi një pjesë të të drejtave të imazhit të futbollistëve të tij, nëpërmjet një kompanie tjetër, duke thyer rregullin e “Fair Play” Financiar.

Bëhet fjalë për kompaninë “Fordham Sports Managment”, e drejtuar nga David Rowland dhe djali i tij Jonathan. Ajo bleu këto të drejta imazhi, por ishte pronari i klubit, sheiku Mansour, që çdo vit nëpërmjet kompanisë “Abu Dhabi United Group” i kalonte në mënyrë sekrete nga llogaria e tij plot 11 milionë paund te familja Rowland, për të drejtat e imazhit, duke i dhënë mundësinë Manchester City që të mbulojë këto shpenzime.

Ende nuk është i qartë nëse projekti “Longbow” është i ligjshëm apo jo, por edhe nëse është i paligjshëm, Manchester City mund t’i shpëtojë sanksioneve, nëse konfirmohet që dokumentet dhe “e-mail”-et e publikuara janë siguruar në mënyrë ilegale.

Vlen të kujtohet se Mansour është akuzuar më parë se ka investuar 59.5 milionë paund, nga 67.5 milionë, në akordin mes Manchester City dhe “Etihad Airways”.