Dënohet ish kampioni i Botës. 2 vjet burg për lidhjet me Mafia

1 Nëntor, 2018 192 Pa Komente

Vincenzo Iaquinta njihet si një futbollist që pati disa suksese gjatë karrierës së tij, ku padyshim më e rëndësishmja ishte Kupa e Botës me Italinë në vitin 2006, por nuk mund të lihen pa përmendur edhe aventurat e tij me klubet e Udineses, ku shënoi 58 gola në 176 ndeshje, dhe më pas Juventus.

Gjithsesi, ish-sulmuesi është dënuar nga gjykata italiane me 2 vjet burg për lidhjet e tij me mafian, ndërkohë babai i tij ka marrë një dënim me 19 vite mbrapa hekurave.

Megjithatë, Iaquinta ka mohuar çdo akuzë që i është bërë kundër, duke deklaruar se i kanë shkatërruar jetën pa bërë asgjë, vetëm e vetëm sepse është nga rajoni i Calabrisë. 38-vjeçari shtoi se i vjen keq për fëmijët e tij, të cilët janë të detyruar të dëgjojnë gjëra të tilla.

I tërhequr nga futbolli në vitin 2014, pas 2 vitesh pa luajtur, Iaquinta nuk u përfshi më në sportin që i dha famë, si shumë prej ish-shokëve të tij në klube dhe kombëtare, megjithëse ka edhe liçensën e trajnerit. Dënimi nga drejtësia italiane vjen pas një hetimi mjaft të gjatë, në procesin më të madh gjyqësor për mafian të mbajtur në veri të Italisë.