Dëmtohen Neymar dhe Mbappe. Në dyshim për sfidën kundër Liverpool

22 Nëntor, 2018 54 Pa Komente

Situata dukej më pak e rëndë nga sa parashikohej, por gjithsesi për dy yjet e PSG, Neymar dhe Mbappé, vizitat mjekësore nuk japin shumë shpresa për të qenë pjesë e takimit kundër Liverpool, në Champions League.

Dhimbje koke për Thomas Tuchel, me Neymar që është e sigurt se do të mungojë, dhe me Mbappé, i cili nuk jep shumë shpresa se do të jetë i gatshëm. Braziliani ka pësuar një tërheqje në kofshën e djathtë, ndërkohë ish-futbollisti i Monaco ka një shembje të shpatullës së djathtë.

Tashmë, Tuchel do ti duhet të mendojë për një sulm krejtësisht të ri për sfidën me Liverpool, me Edinson Cavanin që aktualisht është i vetmi lojtar i gatshëm në repart.

Duhet thënë se PSG-së nuk i mungojnë zgjedhjet, me lojtarë si Draxler apo Di Maria, të cilët nuk kanë luajtur shumë këtë sezon, por gjithsesi kanë vërtetuar gjithmonë se janë futbollistë kualitativë.

Pavarësisht se Neymar kishte publikuar një foto në rrjetin social të Instagram, duke thënë se nuk besonte të ishte diçka e rëndë, mjekët vunë re një tërheqje, me 26-vjeçarin që duhet të qëndrojë 2 javë larg fushave.

Për sa i përket Mbappe, është e sigurt se do të mungojë në ndeshjen përballë Toulouse në kampionat. Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare, për të kuptuar nëse francezi do të jetë i gatshëm, për sfidën e rëndësishme të së mërkurës.