De Laurentiis: “Cavani te Napoli? Duhet të ulë rrogën”

22 Nëntor, 2018 133 Pa Komente

Aurelio De Laurentiis nuk do të “peshkojë” në ujërat e trazuara të PSG. Presidenti i Napolit ka vendosur që të mos sforcohet shumë në merkaton e dimrit dhe në një intervistë për mediat italiane është ndalur të flasë edhe për mundësinë e rikthimit të Edinson Cavani në “San Paolo”. Ai tregon se Cavani është i mirëpritur , por ka theksuar se kjo gjë mund të bëhet vetëm nëse ai është mërzitur në Francë dhe pranon të vijë me një pagë më të ulët.

“Në janar ne nuk do të nënshkruajmë me asnjë. Nëse Cavani mërzitet në Paris dhe vendos të fitojë më pak, ne do e mirëpresim me krahë të hapur. Nëse në fund të sezonit Ancelotti e do atë, PSG mund të shmangë që ta paguajë atë për një vit nëse e huazon falas ose për një shumë simbolike. Nëse Cavani i është i kënaqur të fitojë 6 ose 7 milion euro në vit është i mirëpritur…”, u shpreh De Laurentiis për Corriere dello Sport .

Sulmuesi uruguaian ka një kontratë deri në qershor 2020 me kampionët në fuqi në Francë- atëher ai do të jetë 33-vjeç dhe do të paguhet 18.5 milion euro në vit. Një raport i publikuar në muajin shkurt nga L’Équipe tregonte se Cavani ishte i dyti më i paguar në Ligue 1 sezonin e kaluar, pas Neymar. Në 2013 klubi parisien i pagoi Napolit 65 milion euro për transferimin e tij.

Këtë sezon, Cavani ka shënuar 8 gola në 8 ndeshje dhe ka shënuar dhe një gol në Champions League.