Chiellini: “Krenar për fanellën e Italisë. Nuk e mendoj ta braktis”

13 Nëntor, 2018 51 Pa Komente

Debutoi më 17 Nëntor të vitit 2004 dhe pas 14 vitesh, më 17 Nëntor të 2018-ës, Giorgio Chiellini do të luajë ndeshjen e tij të 100 me Kombëtaren Italiane, në përballjen ndaj Portugalisë, të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Qendërmbrojtësi 34-vjeçar nuk e “braktisi” Italinë, pas Play Off-it ndaj Suedisë, kur Kombëtarja “axurre” dështoi të kualifikohej në Botërorin “Rusi 2018”, ndërsa tashmë Roberto Mancini i ka besuar edhe shiritin e kapitenit.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar, që do të luaj ndeshjen e 100 me Italinë. Të luash për kombëtaren, është një nder i veçantë dhe një ëndërr për të gjithë, ndaj nuk e kisha imagjinuar se do të arrija në shifrën e 100 prezencave”, deklaroi Chiellini.

Giorgio Chiellini zbuloi edhe arsyen pse vendosi t’i qëndrojë besnik Kombëtares dhe nuk bëri si të tjerë italianë, që deklaruan tërheqjen, pas dështimit për t’u kualifikuar në Botëror. Ai shtoi se e ardhmja e Italisë së Mancinit do të jetë e bukur dhe premtuese.

“Unë mendoj se nga Kombëtarja nuk mund të tërhiqesh asnjëherë. Thjesht duhet të jesh gati dhe t’i përgjigjesh çdo thirrjeje për grumbullim. Largimi nga kombëtarja vjen vetëm kur trajneri nuk të merr në konsideratë dhe unë marr ende ftesa, ndaj do të jem i gatshëm të jap më të mirën time. Natyrisht që nuk do të jem përjetësisht këtu, por Mancini po punon mjaft mirë në drejtim të rinovimit dhe e ardhmja duket e bukur dhe premtuese”, tha mbrojtësi italian.