Chelsea nuk e ndjen mungesën e Hazard. Skuadra e Sarri tani në vendin e dytë

28 Tetor, 2018 11 Pa Komente

Ata e nisën lojën duke thirrur emrin e Frank Lampard, por kur ndeshja përfundoi nga goja e tifozëve të Chelsea ishte emri Ross Barkley që shqiptohej. Kishin kaluar më shumë se pesë vite që nga hera e fundit që një anglez shënonte në tri takime radhazi të Premier League për blutë e Londrës. Dhe sigurisht që ai ishte Lampard.

Por numri 8 i fundit i londinezëve po tregon rritje nga takimi në takim dhe po rezulton mjaft vendimtar, sidomos kur mungon ylli Eden Hazard, i cili vuan një dëmtim në shpinë. Fitorja në “Turf Mur” me rezultatin 0-4 ndaj Burnley është përgjigja më e mirë ndaj atyre që pretendonin se blutë e Londrës ishin asgjë pa belgun në fushë.

Të udhëhequr nga Barkley dhe falë golave të tjerë të Alvaro Morata, Willian dhe Ruben Loftus-Cheek dhe nga një lojë mjaft e mirë e N’Golo Kante, djemtë e Maurizio Sarri tani janë vetëm 2 pikë larg Liverpool në renditje.