Cantona kundër Mourinho. “United dhe ai nuk mund të bashkëjetojnë”

27 Tetor, 2018 28 Pa Komente

Me elokuencën që e karakterizon, francezi Eric Cantona nuk nguron të prononcohet kundër Mourinho, duke deklaruar se stili i portugezit nuk është i duhuri për klubin e “Old Trafford” dhe se performanca e “Djajve të Kuq” këtë periudhë po kthehet në vuajtje për tifozët, duke kërkuar kështu me ngulm largimin e Mourinho nga stoli i United. Pozitat e Mourinho po vihen gjithnjë e me shumë në pikëpyetje pas startit negativ të sezonit, me “Djajtë e Kuq” që e shohin veten të dhjetët në tabelën e klasifikimit të Premier Leagues me 14 pikë të grumbulluara nga 9 takime. Kritikat në drejtim të trajnerit portugez sulmojnë ideologjinë e tij, që, sipas tyre, bie ndesh me atë të klubit që historikisht ka zgjedhur një lojë emocionuese në sulm.

“Mourinho – United është një çift që nuk shkon, është si një burrë që qëndron me gruan e gabuar, sigurisht që çdokush mund të gabojë, madje ka të drejtën të gabojë por të paktën mund të gabosh duke rrezikuar. Të humbasësh në “Old Trafford” kur kundërshtari posedon topin për 70% të ndeshjes nuk është për këtë ekip, a mund ta imagjinoni të ndodhte diçka e tillë me Alex Ferguson në stol?

Sa për kandidatin potencial për të zëvendësuar Mourinhon te klubi anglez, Cantona argumenton se ai duhet të jetë dikush që njeh mirë historinë e klubit dikush nga brenda organikës.”

“Të gjithë ishim dëshmitarë sesi Zinedine Zidane, një ish-lojtar i Real Madrid edhe pse nuk kishte drejtuar më parë u bë një timonier i shkëlqyer i “Los Blancos”. Madrilenët i dhanë shansin, ndërkohë që United nuk e ka bërë asnjëherë diçka të tillë, me dikë që e njeh identitetin dhe filozofinë e klubit. Sigurisht që nuk e lidh këtë me ambiciet personale, por me të mirën e kësaj skuadre.”

Cantona në të vërtetë mbetet një ikonë skuadrës së “Old Trafford”, një hero kulti i “Djajve të Kuq”, që solli një fryme risie tek loja e anglezëve para se të tërhiqej në moshën 30-vjeçare përkatësisht ne vitin 1997. Si lojtar ai numëron 64 gola të shënuar në Premier League me fanellën e United, duke e shndërruar në një prej lojtarëve me të famshëm të historisë së “Djave të Kuq”.