Brazili nuk e ka të lehtë. Belgjika e detyruar të fitojë

2 Korrik, 2018 424 Pa Komente

Këtë të hënë do të luhen dy ndeshjet e radhës se 1/8-ave të Botërorit, rezultatet e të cilave do të përcaktojnë çiftin e tretë çerekfinalist.

Në orën 16:00, në “Cosmos Arena” të Samaras do të zbresë në fushë skuadra pesë herë kampione e botës, Brazili, që do të ketë përballë Meksikën, ekipin që i i hapi udhë eliminimit të Gjermanisë në ndeshjen e parë të fazës së grupeve.

Sinoptikanët kanë parashikuar temperatura rreth 35 gradë gjatë zhvillimit të takimit, që do të thotë se do të jetë një test i fortë rezistence.

Brazili dhe Meksika kanë një histori të pasur të përplasjeve në Kupën e Botës. Katër vite më parë, në Brazil, përballja mes tyre në fazën e grupeve përfundoi barazim 0-0. Por është fakt që në 9 ndeshjet e fundit është shënuar të paktën një gol.

Pavarësisht kritikave që ka marrë, vëmendja kryesore shkon për Neymar, që është futbollisti me më shumë driblime (17), faulle të fituara (17) dhe raste të krijuara (11) në tre takimet e para.

Takimi i mbrëmjes, i orës 20:00, do të jetë Belgjikë-Japoni, në “Arena Rostov”. Ndoshta ky ka qenë çifti më pak i ekuilibruar i kësaj faze, sespe diferencat në cilësi mes dy skuadrave janë të frikshme. Belgjika grumbulloi pikë të plotë në tri ndeshjet në grup, duke mposhtur madje edhe Anglinë, ndërsa Japonia ishte me fat, sepse avancoi më tek vetëm falë kriterit të fair play-t (kishte marrë një numër më të vogël kartonësh të verdhë se Senegali). Kjo është hera e katërt që Japonia kalon fazën e grupeve në Botëror dhe në asnjë rast nuk kanë mundur ta kalojnë fazën e 1/8-ave. Romelu Lukaku, me katër gola në dy ndeshje, mbetet rreziku numër 1 për përfaqësuesen e vetme aziatike të mbetur në garë. Japonia, ndërkohë, mbështetet te përvoja e Keisuke Hondas, që ka realizuar 4 gola dhe dhënë 3 asiste në 10 ndeshjet e fundit në Botëror.

Inetersant fakti që në përballjet mes tyre në total Japonia është në epërsi me dy fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje.