Barca funksionon edhe pa Messi. Real ka humbur busullën

28 Tetor, 2018 49 Pa Komente

Një manita për të fundosur Real Madrid dhe për t’i treguar botës se Barcelona funksionon edhe pa Messi, ndryshe nga Real Madrid që pa Cristiano Ronaldo nuk është më e njëjta skuadër dhe i mungon një lider si portugezi në fushë. Fitore e madhe me shifrat 5-1 e Barcelonës në El Clacicon e parë pa Messi dhe CR7 pas 11 vitesh me skenën që ishte e gjitha për Luis Suarez. Me 3 një tregolësh El Pistolero vendosi fatet e një sfide të dominuar nga Barça dhe të cilën Reali e luajti vetëm në 15 minutat e para të pjesës së dytë. Lopetegui i besonte edhe njëherë tjetër Rafinhas për të zëvendësuar Messin. Goli i parë që zhbllokoi shifrat në minutën e 11-të, erdhi për meritë të treshes Jordi Alba-Suarez-Coutinho. Mbrojtësi i krahut të majtë pasoi në qëndër me Suarez që me një lëvizje mjeshtërore tërhoqi mbrojtësit rreth vetes mbrojtësit e Realit duke i dhënë mundësinë Coutinhos që i lirë brenda zone të realizonte me lehtësi golin e parë. Nuk vonoi shumë dhe me ndërhyrjen e VAR, Barcelona fitoi një 11-metërsh pasi Varane pengoi në zonë Suarezin.

Uruguiani nuk fali duke dyfishuar shifrat në minutën e 30-të. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me një Real të tjetërsuar. Marcelo me një lëvizje të bukur brenda zone i shpëtoi mbulimit të Pique duke mposhtur dhe Ter Stegen për të rihapur sfidën. Pak çaste më vonë fati nuk ishte me Los Blancos pasi Modric u ndal nga shtylla. Disa minuta më vonë Benzema humbi një rast të mirë me kokë dhe vetëm kaq sepse Reali i Madridit u fik sërish. Pas minutës së 65-të sfida ishte e gjitha nën kontrollin e Barçës. Në harkun e 12 minutave nga e 75-ta në të 87-ën blaugranat realizuan dhe 3 herë të tjera, 2 herë me Suarez dhe në fund goli i parë i Arturo Vidal me Barcelonën që fundosi përfundimisht Realin e Madridit. Një manita që përshpejton largimin e Julen Lopeteguit nga stoli i Los Blancos me ish trajnerin e Spanjës që tashmë pritet të shkarkohet nga momenti në moment pas kësaj humbjeje të rëndë. Me këtë fitore Barcelona rimori kreun e La Ligas me 21 pikë, 2 më shumë se Atletico dhe 7 më shumë se Reali i Madridit që si rrallëherë në dekadat e fundit pozicionohet në vendin e 9-të pas 10 javësh kampionat.