Allegri: “Nuk mund të shkëlqejmë në çdo takim”

28 Tetor, 2018 11 Pa Komente

Me 28 pikë në 10 javë, Juventus ka arritur të barazojë rekordin për nisjen e saj më të mirë në Serie A, diçka që mund ta përmirësojë në fundjavën e ardhshme.

Cristiano Ronaldo, që u kritikua se nuk shënonte në sfidat e para me “Zonjën e vjetër”, ka nisur ose ka qenë pjesëmarrës në 10 nga 14 golat e fundit të bardhezinjve në kampionat. Portugezi u tregua vendimtar dhe ndaj Empolit, aty ku 3 pikët u vendosën shumë në rrezik.

Por, trajneri Allegri u kujtoi tifozëve se nuk mund të shkëlqejnë për të gjitha sfidat sezonale.

“Lodhja pas 12 apo 13 ndeshjeve të fituara është normale, e përveç të tjerave nuk kisha ndërrimet e duhura në mesfushë, ndaj nuk shkëlqyem. Është e pamundur të mendosh që do të luajmë bukur për 38 ndeshje, ndaj rivalëve që nuk të japin hapësira siç ndodh në Europë”, tha tekniku i Juventus.

Praktikisht, Massimiliano Allegri iu referua edhe objektivit madhor të Juventus këtë sezon, Champions League, që tani duket më afër me Cristiano Ronaldo. Torinezët kanë sistemuar thuajse në masën 100% kalimin nga faza e grupeve. Nëse zyrtarizon kualifikimin në ndeshjen ndaj Manchester United do të ketë 3 muaj që të konsolidojë muret e shtëpisë në Serie A.

Dhjetori do të jetë një muaj ferri me përplasje të drejtpërdrejta dhe, nëse Juventus shkon në mars me hendekun e duhur të pikëve, mund të fokusohet te kupa “me veshë të mëdhenj”, që gati po kthehet në fiksim