Alban Hoxha drejt thyerjes së rekordit

12 Tetor, 2018 602 Pa Komente

Vëmendjen e suksesit të Partizanit këtë edicion pa diskutim që e kanë rrëmbyer talentet e sulmit të “të kuqve”, pasi prej kohësh nuk kishte ndodhur që tek 15 herë kampionët e vendit, në repartin e avancuar të kishte djem të rinj dhe me kaq shumë talent. Megjithatë nëse do t’i hyjmë një analize më të thellë atëherë kuptohet lehtë që çelësi i suksesit të Partizanit është mbrojtja, ose më saktë mënyra se si ekipi interpreton fazën mbrojtëse.

Vetëm një gol i pësuar, ai ndaj Skënderbeut në javën e parë me penallti, i bën “të kuqtë” të kenë mbrojtjen më të mirë të kampionatit, me formacionin e Skënder Gegës që njeh 6 fitore dhe 1 barazim, pas sfidës debutuese në kampionat. Një mbrojtje hermetike, që nuk kanë mundur ta thyejnë as skuadrat me sulmues të fortë në përbërje, kjo ndoshta edhe për shkak të formës së portierit dhe kapitenit Alban Hoxha.

Plot 7 ndeshje në kampionat pa pësuar gol, ose e thënë ndryshe më shumë se 630 minuta lojë, po të llogarisim edhe shtesat. 31-vjeçari ruan profilin e ulët, por nuk është një çudi që këtë edicion të kërkojë të përmirësojë rekordin personal të mos pësimit të golave. Në dhjetorin e 2014-ës kapiteni i Partizanit vendosi rekordin e kampionatit me 1084 minuta pa pësuar gol dhe aktualisht ka kapërcyer më shumë se gjysmën e ndeshjeve.

Me një llogari të thjeshtë, “gardianit të kuq” i duhen edhe 5 ndeshje për të thyer këtë rekord, çka do të ishte diçka e paimagjinueshme në fillimin e këtij edicioni. Bazat e suksesit tek Partizani janë ndërtuar nga prapavija e hekurt, për t’i lënë skenën yjeve të sulmit.